Sot Manchester United- Milan dhe Real-Lyon

Sport 1 Comment »

Sot Manchester United- Milan dhe Real-Lyon
Milan, do të ketë punë të vështirë të mërkurën mbrëma në përballje me ish-skuadrën e tij Manchester United, në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Manchesteri fitoi ndeshjen e parë në “San Siro” me shifrat 3:2, falë dygolëshit të Wayne Rooneyt, që vazhdon të jetë në dyshim për këtë ndeshje të kthimit shkaku i lëndimit, njofton të martën agjencia e lajmeve Reuters.
Në ndeshjen tjetër që luhet në të njëjtën kohë të mërkurën mbrëma në “Santiago Bernabeu” të Madridit, Reali duhet të gjejë një mënyrë për të thyer mbrojtjen e Lyonit, që nuk ka pranuar gol tashmë dhjetë orë lojë. Golin e fundit Lyoni e ka pranuar në ndeshjen kundër PSG-së më 31 janar të këtij viti. Megjithatë, sulmi i Realit është në top formë: në tri ndeshjet e fundit ka shënuar 14 gola.
Reali ka humbur ndeshjen e parë në Lyon (1:0).
Te skuadra e Realit në këtë ndeshje pritet të mungojë sulmuesi francez Karim Benzema, që para fillimit të këtij edicioni u transferua pikërisht nga Lyoni.

Lohan kërkon 100 milionë dëmshpërblim për spotin

Show biz No Comments »

http://images.askmen.com/galleries/actress/lindsay-lohan/pictures/lindsay-lohan-picture-1.jpg
Aktorja amerikane Lindsay Lohan ka kërkuar një dëmshpërblim prej 100 milionë dollarësh kompanisë amerikane të reklamave E-Trade për një spot të shfaqur gjatë ndeshjeve të futbollit amerikan i njohur ndryshe me emrin Superbowl.
Përfaqësuesit ligjorë të aktores 23 vjeçare u shprehen se E-Trade ka përdorur në spot në mënyrë që nënkuptohej lehtë se kishte të bënte me problemet që Lohan ka pasur me drogën dhe alkoolin.
Ndërkohë pritet verifikimi i pretendimit të Lohan dhe marrja e një vendimi prej autoriteteve.

Kina do të ndërtojë një linjë të shpejtë hekurudhore me Evropën

Ekonomi 6 Comments »

http://www.travelagentcentral.com/files/nodes/years/2009/19021/train_china.jpg
Kinezët mendojnë të vënë në jetë një projekt gjigant të inxhinierisë edhe pse pak vite më parë dukej më shumë se i pamundur.
Londër-Pekin me tren për dy ditë. Kinezet kanë ndërmend të ndërtojnë një linjë hekurudhore të shpejtësisë së lartë, e cila do të lidhe Evropën me Azinë, ku treni do të udhëtojë me 350 km/h. Këtë e ka bërë të ditur anëtari i Akademisë Kineze të Inxhinierisë, Wang Mengshu, i cili ka qenë edhe një nga ideatorët e linjës se shpejtësisë së larte në Kinë.
Sipas të dhënave të para, një hipotezë është që linja të kalojë nga India dhe Pakistani, tjetra parashikon kalimin në veri nëpërmjet Rusisë, ndërsa gjurma e fundit parashikon kalimin nga Vietnami, Tailanda, Birmania dhe Malajzia. “Mendojmë se edhe trenat mund të ecin me shpejtësi si avionët dhe cilëndo nga linjat që mund të zgjedhim, projekti do të përfundojë brenda një 10 vjeçari”, shprehet Wang për “Daily Telegraph”, ndërsa transmeton Top Channel.
Ai shton se Kina është në bisedime me 17 vende për të realizuar këtë projekt që nuk ka qenë një ide e Pekinit por e Indisë, e cila kërkon të shfrytëzojë avantazhet teknologjike të Kinës. Pekini ka lëvruar një fond prej 530 miliardë eurosh për të ndërtuar një sistem modern hekurudhor brenda 5 viteve të ardhshme, duke lidhur qytetet më të mëdha me njëra-tjetrën nëpërmjet sistemit të shpejtësisë së lartë. Në vitin 2009 u vu në punë treni më i shpejtë në botë, “Harmony Express”, shpejtësia e të cilit arrin 400 km/h.

KQZ-ja kërkon para shtesë për zgjedhjet shtesë

Politike 1 Comment »

KQZ-ja kërkon para shtesë për zgjedhjet shtesë
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do t’i duhen rreth gjysmë milion euro shtesë për t’i organizuar zgjedhjet në Gjilan e Istog si dhe në Komunën e Parteshit. Ky institucion ka aprovuar të martën kërkesën e Sekretariatit të KQZ-së për buxhet shtesë, e cila po në të njëjtën ditë është proceduar në Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave.
“Sa i përket buxhetit shtesë, ne kemi kërkuar nga MEF-i 461.963 euro, të cilat do të përdoren për zgjedhjet në Gjilan, Istog dhe Partesh dhe shpresojmë se ky buxhet do të jetë i mjaftueshëm pasi që kemi kërkuar aq sa kemi nevojë”, ka deklaruar të martën pas mbledhjes së KQZ-s kryetarja e këtij institucioni, Nesrin Lushta. Mirëpo, një burim i gazetës brenda KQZ-së ka treguar se nga më shumë se tetë milionë euro, që kishte pasur KQZ-ja për zgjedhjet e vitit 2009, këtij institucioni i kanë mbetur suficit tre milionë e 802 mijë euro, ndërsa janë shpenzuar 4 milionë e 724.34 euro.
Siç ka thënë burimi i gazetës, “suficiti ka mbetur për shkak se KQZ-ja nuk ka planifikuar se do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme siç janë ato në Partesh dhe Istog. Kështu që suficiti nuk mund të bartet dhe kërkesa për buxhet shtesë ka qenë më se e domosdoshme ”, ka bërë me dije burimi i gazetës në KQZ.
Ndërsa, kryetarja Lushta nuk e ka mohuar mundësinë që institucioni të cilin e udhëheq ajo do të ketë nevojë sërish për buxhet shtesë edhe për zgjedhjet, të cilat pritet të organizohen në komunat e veriut me shumicë serbe.

“KFOR-i rifillon bashkëpunimin me FSK-në “

Lajme 2 Comments »

http://www.karamanos.net/UNMIK/kfor1.jpg
KFOR-i ka rifilluar bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës, pas disa ditë pezullimi.
Në një komunikatë për media të KFOR-it, thuhet se “pas pezullimit të mbështetjes së KFOR-it për Forcën e Sigurisë së Kosovës më 5 mars 2010, presidenti dhe kryeministri kanë punuar me komandantin e KFOR-it që t’i zgjidhin në mënyrë të kënaqshme çështjet në fjalë”, ka raportuar Radio Evropa e Lirë.
Sipas KFOR-it, kjo ka rezultuar në një marrëveshje të re e cila ka të bëjë me mënyrën e përdorimit të njësisë ceremoniale të FSK-së, e cila do të vazhdojë t’i përdorë armët e demilitarizuara, me pajtimin e KOMKFOR-i, dhe rikonfirmon se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të ketë rol mbrojtës apo ushtarak meqë kjo detyrë është e ndërmarrë nga KFOR-i.
“Pas konkludimit të kësaj marrëveshjeje, ne mund të konfirmojmë se KFOR-i do te riktheje rolin e tij trajnues dhe mentorues me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Mungojnë golat në “San Siro” !

Sport 2 Comments »

 Mungojnë golat në “San Siro”
Genoa nuk e ka lejuar shkëputjen e Interit, pasi ndeshja e fundit e javës së 27-të midis këtyre dy skuadrave e luajtur në “San Siro”, ka përfunduar mne barazim pa gola.
Një pjesë e parë e përgjumur, ku te dyja skuadrat nuk preferonin të sulmonin por të prisnin gabimet e njëra–tjetrës. Mourinho i dha udhëzimet e veta nga tribuna dhe Interi u zgjua në pjesën e dyte, duke u hedhur në sulm në kërkim të golit te avantazhit.
Shumë raste të krijuara gjatë 45 minutave te dyta, por asnjëra prej tyre nuk u finalizua me gol. Bolotelli, Eto’o, Sneijder nuk arritën t’i jepnin fitoren skuadrës së tyre. Ky rezultat mban në 4 pikë diferencën midis Interit kryesues dhe Milanit në vendin e dytë.

“The Hurt Locker” fiton “Oscarin” e madh

Kulture No Comments »

“The Hurt Locker” fiton “Oscarin” e madh
“The Hurt Locker” ka mposhtur “Avatar” në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve Oscar pasi ka fituar statujën në kategorinë e filmit më të mirë.
Bashkë me këtë, “The Hurt Locker” fitoi edhe 4 Oscar tjerë; montazhi më i mirë, tingulli më i mirë, skenografia më e mirë origjinale dhe montazhi më i mirë zanor. Kjo ishte një sfidë në distancë mes James Cameron e Kathryn Bigelow ku kjo e fundit doli fitimtare.
Kolosi “Avatar” që erdhi në këtë mbrëmje si favorit, u vlerësua një film jashtë standardeve hollivudiane. “The Hurt Locker” rrëfen historinë e një grupi specialistësh për çaktivizimin e minave në Irak. Në sekuencat e filmit rrëfehen me detaje momentet e adrenalinës gjatë çmontimit të bombave, raporton Top Channel.
Në luftën mes aktoreve, gjithçka shkoi sipas parashikimeve pasi protagonisti më i mirë mashkull u shpall Jeff Bridges në filmin “Crazy Heart”, ndërsa Sandra Bullock me “The Blind Side” fitoi trofeun e aktores më të mirë. “Bastardë pa lavdi” i dha çmimin e aktorit më të mire jo protagonist Cristoph Waltz, ndërsa Mo’Nique me “Precious” u nderua në kategorinë e femrave.

Filmi më i mirë; The Hurt Locker

Regjia më e mirë; Kathryn Bigelow (The Hurt Locker)

Aktori më i mirë; Jeff Bridges (Crazy Heart)

Aktorja më e mirë; Sandra Bullock (The Blind Side)

Aktori më i mirë jo protagonist; Christoph Waltz (Inglorious Basterds)

Aktorja më e mirë jo protagoniste; Mo’nique (Precious)

Skenografia me e mire origjinale; Mark Boal (The Hurt Locker)

Skenografia më e mirë jo origjinale; Geoffrey Fletcher (Precious)

Filmi më i mirë i animuar; Up

Filmi më i mirë i huaj; El Secreto de Sus Ojos (Argjentina)

Skenografia më e mirë; Rick Carter, Robert Stromberg dhe Kim Sinclair (Avatar)

Monografia më e mirë; Mauro Fiore (Avatar)

Veshjet më të mira; Sandy Powell (The young Victoria)

Montazhi më i mirë; Bob Murawski e Chris Innis (The Hurt Locker)

Truku më i mirë; Barney Burman, Mindy Hall e Joel Harlo (Star Trek)

Kolona zanore më e mirë; Michael Giacchino (Up)

Kënga më e mirë origjinale; The Weary Kind, nga Ryan Bingham e T.Bone Burnett (Crazy Heart)

Montazhi më i mirë zanor; Paul N.J. Ottosson (The Hurt Locker)

Tingulli më i mirë; Paul N.J. Ottosson e Ray Beckett (The Hurt Locker)

Efektet më të mira speciale; Joe Letteri, Stephen Rosenbaum, Richard Baneham e Andrew R. Jones (Avatar)

Dokumentari më i mirë; The Cove

Dokumentari më i mirë i shkurtër; Music by Prudence

Filmi i animuar i shkurtër më i mirë; Logorama

Aksioni më i mirë i shkurtër; The New Tenants

Çmimi i naftës shënon rritje të ndjeshme !

Ekonomi 1 Comment »

Çmimi i naftës shënon rritje të ndjeshme
Nafta në tregjet ndërkombëtare sheh një rritje të ndjeshme në çmim, duke rrezikuar sërish një krizë në tregjet më të mëdha botërore, e cila pasqyrohet edhe në vendet e vogla.
Në tregun aziatik një fuçi naftë është shitur 82 dollarë. Kjo rritje vjen pas asaj të bursës së New Yorkut, ku dje një fuçi naftë u shit 81-97 dollarë.
Ky është çmimi më i lartë i naftës në tregjet botërorë që pas 11 janarit të këtij viti.
Me kërkesën globale që pritet të ringjallet në vitin 2010, OPEC do të kërkojë të mbajë të pandryshuar nivelin e prodhimit, kur të mblidhet më 17 mars, siç ka bërë në më shumë se një vit.

QKUK reagon ndaj konstatimeve të KPMK-së

Politike No Comments »

QKUK reagon ndaj konstatimeve të KPMK-së

Çdo ndërhyrje nga jashtë ose brenda gjatë procesit të vlerësimit të punëtorëve, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) e konsideron ndërhyrje që ka për qëllim ndërprerjen e procesit të vënies së rregullit, disiplinës, profesionalizimit, dhe ndalimin e dukurive korruptive, dukuri këto që po përfliten shumë jashtë QKUK së. Duke reaguar ndaj rekomandimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës (KPMK), menaxhmenti i QKUK së thotë se është i vendosur të shtyjë përpara këto procese, pavarësisht presioneve që vijnë nga jashtë.
Ndërhyrjen e KPMK së, në këtë fazë dhe në këtë mënyrë, QKUK e konsideron proces negativ dhe nën çdo nivel profesional. “Sa i përket rekomandimit se zgjedhja e ndihmësdrejtorëve është bërë pa respektuar procedurat ligjore, sqarojmë se në bazë të Statutit të QKUK së, përkatësisht nenit 18, pika 3 dhe 4 zgjedhjen e ndihmësdrejtorëve e bënë drejtori ekzekutiv.

Gratë për festë u “bashkuan në urë

Lajme No Comments »

Gratë për festë u  “bashkuan në urë”
Organizata joqeveritare Gratë për Gratë Internacionale – Kosova do të shënojë, të hënën, 8 Marsin me një manifestim të pazakontë, me një bashkim të grave në urën në Dragodan.
Ky manifestim është pjesë e fushatës së OJQ-së Gratë për Gratë Internacionale –“Bashkohu me mua në urë” e cila bashkon gratë nga e gjithë bota duke treguar që gratë mund të ndërtojnë ura të paqes dhe zhvillimit për të ardhmen.
Pas një fjalimi të rastit dhe lëshimit të ballonave, gratë do të tubohen në një solemnitet në Hallën e Sporteve “1 tetori”, ku pritet të merr pjesë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Në përvjetorin e dhjetë të saj, Organizata Gratë për Gratë Internacionale – Kosova, do të reflektojë për rezultatet e arritura, sfidat me të cilat është përballur dhe planet për të ardhmen.
Që nga viti 1993, Gratë për Gratë Internacionale ka ndihmuar mbi 243.000 gra në vendet e pasluftës që të ndryshojnë jetën e tyre duke iu ofruar përkrahje financiare dhe emocionale, punë dhe trajnime për aftësim në biznese, në vetëdijësimin për të drejta dhe udhëheqje. Në Kosovë 25.000 gra janë përfshirë në këtë program që nga viti 2000.


WordPress Theme & Icons by N.Design Studio. Powered by WordPress MU   Hosted by Blog.al - Blogu juaj në Shqip
Entries RSS Comments RSS Hyni